Ndërrimi i shtëpisë është një nga momentet më stresuese në jetën e përditshme dhe zakonisht jo për shkak të lëvizjes vetë, por për shkak të procesit të pakëtimit dhe organizimit që i paraprin. Kur çdo send ka një kujtim, një funksion apo një formë të veçantë, mënyra si e paketojmë atë bëhet thelbësore për ta mbajtur të sigurt, të paprekur dhe të gatshëm për jetën në shtëpinë e re.

Hapi i parë dhe më i rëndësishëm është planifikimi. Nuk mjafton të nisësh të hedhësh gjërat në kuti ditën e fundit të paktën dy javë përpara, duhet të bësh një listë të gjërave që do marrësh me vete, atyre që do dhurosh, dhe atyre që do hedhësh. Ky është një moment i shkëlqyer për të pastruar, organizuar dhe ndarë sendet që të duhen vërtet nga ato që thjesht po mbajnë vend.

Për mobiliet, mbrojtja është çelësi. Çdo mobilje që mund të çmontohet, duhet çmontuar jo vetëm që kursehet hapësirë, por zvogëlohet edhe rreziku i dëmtimit gjatë transportit. Përdor qese plastike për të mbajtur së bashku vida, bulona dhe pjesë të vogla, dhe mos harro t’i etiketosh me emrin e mobiljes përkatëse. Sipërfaqet e drurit, këndet e tavolinave, karriget dhe raftet duhet të mbështillen me batanije të trasha, flluska plastike (bubble wrap) ose material tekstili për të shmangur gërvishtjet dhe goditjet.

Kur vjen puna te sendet e vogla, organizimi në kuti është esencial. Përdor kuti të ndryshme për çdo dhomë dhe etiketoi ato qartë “Kuzhina”, “Dhoma e gjumit”, “Banjo”, etj. Nëse është e mundur, krijo një sistem me ngjyra për çdo hapësirë të shtëpisë së re, në mënyrë që të dihet menjëherë ku duhet të vendosen kutitë kur mbërrijnë. Gjërat e brishta, si gotat, pjata, pasqyrat apo llambat, duhet të mbështillen një e nga një me letër të trashë ose rroba të vjetra dhe të vendosen ngushtë që të mos lëvizin gjatë rrugës.

Mos harro kutinë e parë ajo që do hapësh menjëherë sapo të mbërrish. Brenda saj vendos sendet më të nevojshme për natën e parë: një palë çarçafë, peshqirë, produkte higjienike, një gotë dhe një thikë, ndoshta një ngarkues telefoni dhe disa ushqime të shpejta. Kjo të kursen shumë lodhje pasi ke kaluar një ditë të tërë në lëvizje.

Për fund, mbaj mend se gjithçka bëhet më e lehtë kur nuk je vetëm. Nëse mundesh, kërko ndihmë nga miqtë, familjarët ose merr një kompani profesioniste transporti. Ato jo vetëm që e bëjnë procesin më të shpejtë, por kanë edhe përvojë në trajtimin e sendeve të ndjeshme apo mobilieve të mëdha.